
Ylber Ramadani është një nga lojtarët kryesorë te skuadra e Leccs. Mesfushori i kombëtares u transferua gjatë merkatos së verës së kaluar në Serie A dhe ka arritur që në vitin e parë të fitojë besimin e drejtuesve dhe të bëjë paraqitje fantastike.
Ramadani ka folur në konferencën për shtyp për fitoren ndaj Empolit në fundjavën e kaluar si dhe për sfidën e radhës ndaj Sassuolos së Nedim Bajramit dhe Marash Kumbullës. Mesfushori është i bindur se skuadra e tij do të arrijë të fitojë “derbin” e shqiptareve, ndërsa ndër të tjera theksoi se kërkon të shkojë sa më laeg me kombëtaren në “Euro 2024”.
“Kjo fitore ishte e rëndësishme sepse Empoli është një kundërshtar i drejtpërdrejtë në garën për mbijetesë. Ne fituam, ndërsa të tjerët barazuan. Seria A është e vështirë. Do të jetë thelbësore të marrim sa më shumë pikë në këto gjashtë ndeshje.
Luca Gotti? Ne dhamë gjithçka për të treguar se duam të bëjmë mirë dhe të arrijmë objektivin. Trajneri ndryshon formacionin nga ndeshja në ndeshje. Tani luajmë me dy në mesfushë. Jemi më kompakt, kjo është një rrugë më e mire për t’u ndjekur dhe nuk pësojmë gol në tre ndeshjet e fundit. Tani jemi të përqendruar te ndeshja e radhë që është Sassuolo”, deklaroi mesfushori.
Objektivat e Ramadanit? Kur hyj në fushë kam besim të madh, nuk kam frikë nga askush. Thjesht dua të bëj mirë dhe ta fitoj ndeshjen. Dua të arrij fillimisht mbijetesën me Leçen dhe më pas të bëj mirë në Kampionatin Europian me Shqipërinë”, përfundoi lideri i mesfushës kuqezi.