Supersfida mes Napolit dhe Milanit ë shtë dhe gjysmë finalja e parë e SuperKupës së Italisë , e cila do të zhvillohet nesër në orën 20:00, në stadiumin “King Saud” në Riad të Arabisë Saudite. Ndërsa para duelit ka folur edhe trajneri i Milanit, Massimilano Allegri.
Tekniku i skuadrës “kuqezi” u shpreh se janë të vetëdijshëm për “peshën” e rivalit të tyre, por janë të vendosur edhe për fitore, pasi finalja është objektivi kryesor i tyre.
“Nesër është një ndeshje ndryshe, është një ndeshje e vetme ku qëllimi është të arrijmë në finale. Napoli është një ekip shumë i fortë. Do të jetë një ndeshje e ndërlikuar dhe e vështirë. Sa i përket golave që pësuam, pati momente ku duhet të kishim bërë më mirë. Shpresojmë të kthehemi në kampionat nga e marta”, ka thënë 58-vjeçari.
Trajneri Allegri foli edhe për gjendjen në të cilën ndodhet skuadra dhe lojtarët, duke u ndalur tek dy prej tyre. Ku u shpreh se anësori Rafael Leao nuk është gati ende që të vlerësohet, ndërsa sulmuesi Santiago Gimenez, do të operohet nesër.
“Do të shohim pas stërvitjes së sotme nëse Leao do të jetë plotësisht i disponueshëm apo jo, ndërsa Gimenez do ti nënshtrohet një operacioni të vogël nesër në mëngjes dhe shpresojmë ta kemi përsëri së shpejti”, u shpreh trajneri i "kuqezinjve".
