Tratativat për transferimin e Alexander Sorloth te Milani po shkojnë në drejtimin e duhur. Kuqezinjtë kanë piketuar sulmuesin e Atletico Madrid si zgjidhjen e emergjencave në sulm, pas dështimeve të Nkunku, Fullkrug dhe Gimenez të cilët nuk kanë përmbushur për asnjë çast investimin e bërë nga klubi.
Norvegjezi ka thënë tashmë “PO”-në e tij për të kaluar në Milano këtë verë, teksa priten edhe bisedimet mes dy skuadrave për të gjetur gjuhën e përbashkët për të bërë të mundur realizimin e marrëveshjes.
Çmimi i sulmuesit ka shkuar në 20 milionë euro me përditësimin e fundit, por klubi spanjoll mund të përfitojë dhe nga Kupa e Botës për të rritur sërish kartonin e lojtarit, edhe pse do të ishte shumë e vështirë, pasi dëshira e vetë Sorloth është largimi nga Spanja për të provuar një eksperiencë të re.
Në këtë mënyrë, edhe e ardhmja e Rafael Leaos mund të vihet akoma më shumë në dyshim, për shkak se portugezi ka përfunduar në shitje.
Përveç Sorloth, Tare po punon gjithashtu edhe me çështjen "Goretzka", i cili do të ndërpresë rrugëtimin e tij me Bayern Munich. Një tjetër kërkesë e trajnerit Max Allegri që kërkon përforcime të mëdha nëse Milan kualifikohet në Champions League.
