Situata e Arkadiusz Milik sa vjen dhe bëhet më e ndërlikuar tek Juventus. Sulmuesi i cili ka vuajtur shpesh nga dëmtimet, ka mbyllur sezonin me bardhezinjtë pasi pësoi tërheqje në stërvitjen e fundit.
Njoftimin e ka bërë të ditur vetë klubi që ka sqaruar se polaku do t'i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar kohën që do t'i nevojitet për t'u rikuperuar plotësisht. Rikthimi i tij në fushë në ndeshjet e mbetura shihet si një pistë e pamundur pasi Juventus e mbyll kampionatin përballë Genoas më 24 maj.
Një "hall" më shumë për "Zonjën e Vjetër" e cila është e detyruar ta paguajë 32-vjeçarin me miliona, pasi ky i fundit merr afro 3.62 milionë euro në sezon, edhe pse minutat i ka patur me pikatore.
