Vazhdon të shtohet “kolonia” e shqiptarëve në Itali. Daniele Lulaj është i radhës që merr vëmendjen.
Talenti i Kombëtares së moshave shihet mjaft premtues dhe me perspektivë për të ardhmen, i cili iu bashkua të rinjve të Lazios në verën e vitit të kaluar. Vetëm 16-vjeç dhe ia ka dalë shumë mirë të fitojë besimin e italianëve.
Paraqitjet e mesfushorit janë mjaft pozitive dhe në këto kushte drejtuesit e Lazios janë bindur për t’i ofruar një kontratë profesionale, e cila do të ishte e para për të. Firma pritet të vijë në ditët e ardhshme, pasi tashmë palët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë.
Pasi të firmosë kontratën e parë profesionale, Lulaj do të ketë mundësinë të integrohet gradualisht edhe me ekipin e parë në Serie A dhe të synojë të lërë gjurmë. Ndërkohë siç dihet te Lazio luan edhe Elseid Hysaj, i cili aktualisht është i përjashtuar nga ekipi dhe ende nuk dihet kur do të rikthehet në skuadër dhe çfarë do të ndodhë saktësisht me mbrojtësin.
