
Të dielën në drekë do të zhvillohet derbi i kryeqytetit të Italisë mes Lazios dhe Romës. Lorik Cana si ish-lojtar i bardhekaltërve është kthyer pas në kohë. Kapiteni legjendar i kombëtares shqiptare kujton me pasion triumfin e Lazios ndaj Romës në finalen e Kupës së Italisë në vitin 2013.
“Kujtimi i parë që më vjen në mendje është 26 maji dhe sytë me lot të tifozëve të Lazios. Ne ishim të vetëdijshëm për atë që nënkuptonte ajo ndeshje për njerëzit, si dhe për lojtarët që nuk kishin ngritur kurrë një kupë më parë.
E nisëm shumë fort atë sezon, pastaj patëm vështirësi në dimër, duke humbur ndaj Fenerbahces në çerekfinalet e Europa League. Ndërsa në fundin e sezonit, u përgatitëm për finalen e kupës ndaj Romës.
Pesë ditë përpara finales darkuam dhe pimë shumë. Trajneri Petkovic bëri një punë të shkëlqyer për përgatitjen e asaj ndeshjeje”, u shpreh Cana.