
Aksidenti që ndodhi dje në Liverpool gjatë paradës për fitoren e Liverpoolit në Premier League tronditi të pranishmit dhe të tjerët kur një burrë me makinë goditi disa këmbësorë në turmën e pranishme në festime. Megjithatë, sipas Policisë së Merseyside, nuk ishte një akt terrorist.
Pas arrestimit të një 53-vjeçari britanik të bardhë nga zona e Liverpulit, zëvendësshefi i policisë tha se besohet se ai ka qenë shoferi i automjetit dhe se ka vepruar i vetëm . Sipas “ESPN”, një përfaqësues i shërbimit të ambulancës konfirmoi se 27 persona u dërguan në spital, përfshirë katër fëmijë. Një total prej 47 personash u plagosën.
Kryebashkiaku i Liverpulit, Steve Rotheram, i tha “BBC”-së : “Ka ende katër persona në spital në një gjendje shumë, shumë të rëndë... Ne shpresojmë që ata do të jenë në gjendje t’ia dalin mbanë.” Shefi i zjarrfikësve të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Merseyside shtoi se katër persona, përfshirë një fëmijë, ishin bllokuar nën automjet.
Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, shkroi në një postim në Instagram më herët gjatë ditës së sotme: “Unë dhe familja ime jemi të tronditur dhe të shkatërruar. Mendimet dhe lutjet tona janë me të gjithë ata që janë lënduar dhe prekur. Nuk do të ecni kurrë vetëm”, duke iu referuar himnit ikonik të “Reds”.