Interesi për talentin turk të Juventusit, Kenan Yildiz, është kthyer në një nga temat kryesore të këtij afati kalimtar. Sipas raportimeve të fundit nga “The Athletic”, Arsenali ka hedhur hapat e parë konkretë për të siguruar shërbimet e 21-vjeçarit.
"Topçinjtë" duket se po kërkojnë përforcime në repartin e avancuar , pasi Gabriel Martinelli dhe Leandro Trossard të cilët mbulojnë krahun e majtë të sulmit, nuk jepin garanci absolute për projektin afatgjatë të Mikel Artetës. Klubi londinez ka identifikuar Yildizin si lojtarin ideal për të rritur cilësinë dhe perspektivën e skuadrës.
Megjithatë, përpjekja e Arsenalit është përballur me një mur të fortë. Juventusi nuk ka vonuar aspak dhe e ka refuzuar kategorikisht mundësinë e shitjes së talentit turk. Ndonëse shifrat e ofertës mbeten ende të panjohura, qëndrimi i "Zonjës së Vjetër" është i qartë, Yildiz është një gur themeli i projektit të ri që po ndërtohet në Torino dhe do të jetë protagonist kryesor për sezonin e ardhshëm.
