
Armando Broja mund të quhet i larguar nga Chelsea. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare do të largohet nga “Blutë e Londrës”, por do të mbetet në Premier League, ku sipas mediave angleze do të firmosë për 5 vite me Burnley.
Kështu, 23-vjeçari shqiptar “divorcohet” për herë të parë nga Chelsea, që nga viti 2009, ku iu bashkua ekipit të fëmijëve. Që prej atëherë, Broja vetëm është huazuar, duke përmendur ekipe si Vitesse, Southampton, Fulham dhe së fundmi Everton.
Ndërsa këtë merkato, “dashurisë” shumëvjeçare i vjen fundi, me shqiptarin që do të largohet përfundimisht, duke mos pasur më “lidhje” me Chelsean. Një histori që nisi mjaft bukur, por për shkak të dëmtimeve u “zbeh” me kalimin e viteve.
Kujtojmë që me fanellën e Chelseat, duke nisur nga ekipi i fëmijëve deri te ai A, sulmuesi shqiptar ka luajtur 91 ndeshje. Ai ia ka dalë që të shënojë 24 gola dhe të asistojë në 6 të tjerë.