Trajneri i skuadrës së Tottenham, Thomas Frank është “kryqëzuar” nga ndjekësit në rrjetet sociale. Ngjarje kjo e cila lidhet me një foto të shkrepur, teksa shihet se ai ishte duke pirë nga një gotë letre me stemën e Arsenalit, rivalit të përjetshëm të tyre.
Në një moment delikat për klubin, ku Tottenhami renditet vetëm në vendin e 14-të në Premier League, imazhi ka shtuar edhe më shumë presion mbi trajnerin danez. Duke marrë parasysh rivalitetin historik mes dy klubeve londineze, fotografia është parë nga tifozët si e papranueshme.
I pyetur për situatën dhe rrëmujën e shkarkuar, Frank mohoi çdo qëllim të keq, duke sqaruar se gjithçka ka qenë një keqkuptim.
“Absolutisht nuk e kam vërejtur. Do të kishte qenë budallallëk i pastër nëse do ta dija që stema e Arsenalit ishte në gotë dhe do ta merrja. Nuk do të bëja kurrë diçka të tillë me qëllim”, deklaroi trajneri i Tottenhamit.
Megjithatë, pavarësisht shpjegimit të tij, besimi i tifozëve mbetet i lëkundur. Fati i Frank në stol duket se do të varet kryesisht nga rezultatet e ndeshjeve.
