Bota e futbollit është në zi pas ndarjes nga jeta të Mario Bruno Bentancor. Sulmuesi uruguaian ndërroi jetë në moshën 22-vjeçare, vetëm tri ditë pasi kishte pësuar një atak kardiak.
Bentancor konsiderohej një nga talentet premtues të futbollit uruguaian. Pak ditë para tragjedisë ai ishte transferuar në Argjentinë, ku synonte të vazhdonte karrierën te Deportivo Riestra.
Megjithatë, aventura e tij përfundoi shpejt, pasi mediat lokale raportuan se u largua nga skuadra pas një incidenti në kampin stërvitor, ku dyshohej se kishte marrë disa veshje që u përkisnin bashkëlojtarëve.
Pas largimit nga Argjentina, 22-vjeçari u kthye në Uruguai, ku pak ditë më vonë pësoi një atak kardiak. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetonte, duke lënë pas një lajm tronditës për familjen, miqtë dhe komunitetin e futbollit.
