Paris Saint-Germain ka ftuar zyrtarisht dy futbollistët e rinj të ekipit të Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, për të marrë pjesë në një periudhë stërvitore vlerësimi në akademinë e klubit francez.
Sesioni stërvitor do të zhvillohet nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026 në kampusin e PSG-së në Poissy të Francës, duke u ofruar lojtarëve mundësinë të dëshmojnë vlerat e tyre në një nga qendrat më prestigjioze të futbollit evropian.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, klubi bardhekaltër ka theksuar se kjo ftesë përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për potencialin dhe punën e dy talenteve, si dhe dëshmon suksesin e riorganizimit dhe investimeve në Akademinë e të rinjve të Prishtinës.
Kjo arritje vjen si rezultat i bashkëpunimit profesional që Prishtina ka ndërtuar me klubet e njohura evropiane, duke krijuar mundësi konkrete për promovimin e futbollistëve në skenën ndërkombëtare.
Prishtina i ka uruar suksese Lorik Mehmetit dhe Rin Ahmetit gjatë kësaj eksperience, me bindjen se do ta përfaqësojnë me dinjitet klubin dhe futbollin e Kosovës.
