
Është mëse e kuptueshme se ekipi polak i Jagiellonia do japi gjithçka në fushën e tyre, kundër Dinamos. Këtë gjë e ka bërë të ditur edhe kapiteni i tyre, Taras Romanczuk në një konferenc përshtyp. Ai është ndalur edhe te plani i ekipit të tij, pa dhënë më shumë detaje.
Ndeshja e parë do të mbahet nesër në orën 20:15, ndërsa ajo e kthimit pas një jave në “Air Albania”, Tiranë: “Kjo është një ndeshje me të vërtetë e rëndësishme dhe e dimë që do të jetë me vajtje-ardhje, ndaj do ta trajtojmë me kujdes, sidomos në sfidën e parë.
Ne luajmë në shtëpi dhe ne e dimë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë këtu. Nuk duhet nënvlerësuar Dinamo pasi është një skuadër e cila në turin e mëparshëm eliminoi një klub të fortë kroat. Ndaj duhet të jemi të kujdesshëm me ta. Por mendoj se stafi dhe trajneri kanë një plan special për këtë ndeshje, duhet ta dëgjojmë këtë plan dhe ta ekzekutojmë në fushë. Duhet ta përballojmë me mendje të ftohtë, pasi është një finale me dy ndeshje.
Duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të zgjuar në fushë. Mbi të gjitha të përfitojmë nga rastet tona, të gjuajmë më shumë, të krijojmë më shumë raste dhe të bëjmë më shumë presing, sidomos në shtëpi. Shpresoj që tifozët të na mbështetin. Kam besim se do na japin një shtysë që në vërshëllimën e parë.
Kundërshtarët? Kam vënë re se luajnë një kundër një në çdo cep të fushës, janë agresivë dhe padyshim nuk do të dorëzohen asnjëherë. Por ne jemi Jagiellonia, luajmë në shtëpi, jemi një ekip i fortë dhe shpresojmë që nesër të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Mendoj se duhet të dalim në fushë dhe bëjmë punën tonë. Gjëja më e rëndësishme është ndeshja e parë, të luajmë mirë dhe ta fitojmë atë”.