
Egnatia dhe Dinamo janë ekipet e vetme nga Superiorja që vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Conference League. Si rrogozhinasit ashtu edhe dinamovitët do të luajnë në fazën e 3-të të këtij turneu, ku do të dëshirojnë fitoren për të tentuar edhe kaulifikimin në “Play-Off”.
Pikërisht për këtë fazë, shorti do të hidhet ditën e sotme. Kështu përveç përgatitjeve që ekipet po bëjnë për ndeshjen e radhës, sot do të jenë gjithë sy e veshë nga Nyoni për të mësuar edhe kundërshtarin e tyre të mundshëm të fazës “Play-Off”, ora 14:00.
Kujtojmë se ndeshjet ne fazës “Play-Off” janë programuar për t’u zhvilluar më 21 dhe 28 gusht, kështu Egnatia dhe Dinamo do të kryqëzojnë gishtat për një short sa më të lehtë në këtë fazë, duke shpresuar githashtu të kalojnë me sukses raundin e 3-të të Conference League.
Ndërkohë vlen të theksohet se në raundin e 3-të, Egnatia do të përballet me Olimpija Ljubljana. Sfida e parë do të luhet në Slloveni, ditën e enjte në orën 20:00, ndërsa ndeshja e kthimit 1 javë më pas në “Egnatia Arena”.
Nga krahu tjetër, Dinamo do të luajë po në transfertë ditën e enjte. Kundërshtar i dinamovitëve është Hajduk Split, me ndeshjen që është programuar të zhvillohet në orën 21:00.