Ndeshja e Conference League mes Rijekës dhe Spartës së Pragës është kthyer në një nga sfidat më të pazakonta të viteve të fundit në Europë.
Takimi, që nisi në orën 18:45 në Kroaci, u ndërpre disa herë për shkak të kushteve ekstreme atmosferike dhe u "braktis" pas pjesës së parë, e cila zgjati plot 3 orë.
Në fushë ishin edhe dy emra të njohur për publikun shqiptar si ish-mesfushori i Tiranës, Merveill Ndockyt, që luante titullar për vendasit dhe sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, me fanellën e skuadrës çeke.
Vetëm pas 13 minutash lojë, shiu i rrëmbyer e bëri terrenin të pamundur për të luajtur, duke detyruar gjyqtarin të ndalonte përkohësisht ndeshjen.
Përpjekjet për ta rifilluar më vonë dështuan disa herë, pasi pas shiut nisi mjegulla e dendur, e më pas era e fortë dhe reshjet e tjera rikthyen kaosin.
Në fund të pjesës së parë, arbitri njoftoi zyrtarisht se ndeshja do të mbetej e papërfunduar, ndërsa UEFA pritet të vendosë së shpejti nëse 45 minutat e mbetura do të zhvillohen në një tjetër datë.
