Achraf Hakimi ka folur në prag të sfidës së mbrëmjes së sotme, ku PSG do të përballet në shtëpi me Bayern Munich. Mbrojtësi maroken e sheh këtë sfidë mjaft të fortë, megjithatë thekson se ai dhe ekipi i tij duan Championsin e dytë radhazi.
“Është një përgjegjësi, por edhe një motivim. Ne e dimë që jemi kampionët në fuqi dhe duam ta provojmë përsëri. Pak ekipe kanë arritur të fitojnë dy herë radhazi, por është një sfidë që na emocionon. Nëse qëndrojmë të bashkuar, mund ta bëjmë përsëri. Viti i kaluar nuk filloi më së miri, por sot grupi është praktikisht i njëjtë, me vetëm dy ose tre lojtarë të rinj. Besimi që kemi te vetja është i pabesueshëm.
Po rritemi ndeshje pas ndeshjeje, e kuptojmë njëri-tjetrin më mirë dhe kjo duket në fushë. Këto janë ndeshje që i pëlqen t’i luash. Po përballemi me një ekip shumë të fortë, por jemi gjithashtu në një moment të shkëlqyer. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi gati”, është shprehur mbrojtësi maroken i PSG-së, Achraf Hakimi.
