Noa Lang pësoi një dëmtim të tmerrshëm në minutat e fundit të ndeshjes mes Liverpool dhe Galatasaray-t, fituar nga skuadra angleze në shifrat 4-0.
Sulmuesi hollandez u pengua pas një aksioni, duke u përplasur me tabelën e reklamave dhe çarë gishtin mes dy tabelave, çfarë solli dhe gjakderdhjen e menjëhershme ku stafi i mjekëve të klubit turk ndërhyri menjëherë për t’i ardhur në ndihmë lojtarit.
Situata u bë akoma dhe më serioze pasi Lang u detyrua të largohej me barrelë nga fusha dhe me aparat oksigjeni pasi ndjente vështirësi në frymëmarrje. Megjithatë, për Galatasaray-n, përgjegjësia mbi këtë incident bie mbi kundërshtarët e tyre në Champions.
Sipas raportimeve të fundit, mësohet se zyrtarët e klubit i janë drejtuar organit kompetent UEFA-s për t’i kompensuar për këtë dëmtim “horror”. Madje thuhet se një dokument ligjor është përgatitur dhe i është nisur këtij organi kompetent për të vlerësuar dëmet.
“Ne bëmë një ankesë te përfaqësuesit e UEFA-s pas ndeshjes. Ata gjithashtu kanë bërë vlerësime. UEFA do të vlerësojë problemin. Jemi në bisedime me avokatët tanë dhe do të dorëzojmë një dosje ku të kërkojmë kompensim për dëmin që na është shkaktuar”, ka deklaruar sekretari i klubit turk.
Për të qetësuar tifozët e skuadrës së tij, Lang bëri një reagim në rrjetet sociale për t’iu komunikuar se e keqja tashmë kaloi dhe se operacioni shkoi me sukses.
