
Janë luajtur ditën e sotme tre ndeshje të vlefshme për kampionatin e basketbollit të meshkujve. Tre sfida mjaft interesante, ku spikati supersfida Tirana Neptun – Besëlidhja.
Lezhjanët ia dolën të triumfonin në ndeshjen e zhvilluar në “Farie Hoti” me rezultatin 96-88. Me këtë fitore, Besëlidhja shkon në kuotën e 18 pikëve dhe mban vendin e parë. Ndërsa Tirana me 16 pikë renditet në vendin e 3-të.
Në ndeshjen tjetër, Partizani MCN ka fituar në “Asllan Rusi” përballë Fieri Basket. Kryeqytetasit triumfuan me rezultatin 98-67. Me këtë fitore, Partizani shkon në vendin e 9-të me 10 pikë, ndërsa fierakët një vend më poshtë, por me pikë të barabarta.
Sfida e tretë, ajo mes Apolonisë dhe Skënderbeut e zhvilluar në “Apolonia”, përfundoi me fitoren 111-75 në favor të vendasve. Me këtë triumf, Apolonia shkon në vendin e 6-të me 14 pikë, ndërsa korçarët, “blindojnë” vendin e fundit me 9 pikë.