
Kombëtarja shqiptare U-17 luajti pasditen e sotme ndeshjen e parë miqësore ndaj Italisë U-17. Sfida e zhvilluar në “Centro Tecnico Federale di Coverciano” u mbyll me fitoren e italianëve 4-1. Golin e vetëm për Shqipërinë e shënoi Dion Vata.
Trajneri Fatjon Tafaj e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Simon Lleshi (C), Xhoel Mezani, Kostantinos Varesis, Enea Bilishti, Dion Vata, Petro Marku, Eris Kurtulaj, Kledi Qosja, Majkol Luka (C), Ermal Ymeri, Frensi Mali.
Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e 20-të. Pas një harkimi në zonë, Marku me kokë goditi shtyllën dhe topi i kthyer u shty në rrjetë nga Vata.
Italia barazoi në minutën e 29-të me Samuele Pirola dhe përmbysi rezultatin në fund të pjesës së parë me Gioele Giammattei, duke e mbyllur fraksionin e parë 2-1.
Pjesa e dytë ishte e luftuar nga të dyja ekipet. Trajneri Tafaj aktivizoi Dodajn, Uldedajn, Shahinin, Mulkian dhe Matrakun. Rasti më i mirë për barazim erdhi në minutën e 86-të me Uldedajn, por topi nuk përfundoi në rrjetë.
Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Italia shënoi edhe golin e tretë me Diego Perillo, ndërsa në kohën shtesë realizoi edhe Mattia Guaglianone dhe ndeshja u mbyll 4-1.
Takimi i dytë miqësor Itali U-17 – Shqipëri U-17 do të luhet më 14 gusht, në orën 11:00, në “Centro Tecnico Federale di Coverciano”.