“Abissnet Superiore” mbylli kampionatin e rregullt fundjavën që lamë pas, duke vendosur edhe katër ekipet e para si dhe skuadrat që bien në Kategorinë e Parë apo “blindojnë” zonën e play-out.
Ndërkohë që ndryshime ka pasur edhe në “Transfermarkt”, me mediumin e vlerave të lojtarëve që ka ndryshuar 11-shen më të shtrenjtë të kampionatit tonë. Formacioni më i shtrenjtë i Superiores ka një vendosje 4-2-3-1 dhe një vlerë totale prej 5.45 milionë eurosh, shifër e konsiderueshme.
Portieri Mario Dajsinani dhe qendërmbrojtësi Arbenit Xhemajli, mbajnë lart stekën e kampiones në fuqi, Egnatias, me vlerën nga 600 mijë euro secili. Ndërkohë që Tirana ka dy lojtarë, Basilio Ndong (350 mijë euro) dhe Patrik Myslovic (500 mijë euro).
Flamurtari ka më shumë lojtarë se çdo ekip në këtë 11-she, tre të tillë. Luciano Squadrone (500 mijë euro), Jacques Mbe (700 mijë euro) dhe në sulm Alessandro Bolzan, i cili vlen 350 mijë euro, pra një total prej 1.55 milionë eurosh.
Më tej vjen Vllaznia me dy lojtarë, Sherif Kallakun që vlen 700 mijë euro dhe Kevin Dodaj që vlen 200 mijë euro më pak, pra një total prej 1.2 milionë eurosh. Robert Muric i Bylisit dhe Albion Marku i Partizanit mbyllin 11-shen, me vlerat 300 mijë euro dhe 350 mijë respektivisht.
