Ilir Daja po mbyll një tjetër sezon pozitiv me ekipin e Dinamos. Trajneri 59-vjeçar vetëm pak ditë më parë fitoi Kupën e Shqipërisë për të dytin vit radhazi me ekipin kryeqytetas, ndërsa pas fitores me Vllazninë në “Final Four”, ka rindezur garën e titullit kampion.
Pavarësisht kësaj, asgjë nuk është e garantuar për të ardhmen. Burime jozyrtare bëjnë me dije për “Newsport.al” se klubi i Superligës së Kosovës, Gjilani ka nisur kontaktet e para për "rrëmbimin" trajnerin e Dinamos. Ky i fundit ende nuk ka vendosur për të ardhmen, por oferta nga klubi i “kuq” duket se ka “trazuar” jo pak ujërat.
Në rast largimi nga klubi kryeqytetas, Ilir Daja është i hapur për një rikthim në Superligën e Kosovës, duke e shqyrtuar si mundësi konkrete. Megjithatë, gjërat janë vetëm në fazën fillestare, pasi nuk përjashtohet as qëndrimi i Dajës aty ku po “korr” sukses, pra te Dinamo.
Por, oferta e Gjilanit është shtruar në tavolinë, me klubin e Superligës së Kosovës që është gati për një revolucion për sezonin e ardhshëm. Në rast se Daja do t’i bashkohet “të kuqve” të Gjilanit, atëherë për të do të ishte një rikthim në Kosovë.
Më parë, 59-vjeçari ka drejtuar ekipin e Ballkanit, me të cilin ka fituar 3 tituj kampionë, 1 Kupë dhe 2 Superkupa të Kosovës, madje siguroi edhe kualifikimin historik në grupet e Conference League.

