I ftuar në emisionin “MegaSport” në A2CNN, Eduard Zhupa ka komentuar gjendjen në të cilën ndodhet momentalisht Vllaznia, pas humbjes që mori nga Dinamo 0-2, në ndeshjen e parë të Final Four, e cila u zhvillua në “Air Albania” të shtunën.
Sipas Zhupës, shkodranët kanë shfaqur mungesë të theksuar të motivimit çfarë ka bërë që ata të mos dalin në “identitet”, tek loja me të cilën jemi mësuar të shohim nga kryesuesit e renditjes përgjatë këtij sezoni. Madje, ai u shpreh se në elitën e futbollit shqiptar mungon niveli që shfaqet në kampionatet si Spanja dhe Anglia, aty ku luftohet për rezultatin deri në minutën e fundit.
“Pjesa e motivimit dhe e dyta, nuk doli tek loja e vetë. Dihet domethënë që Vllaznia gjithmonë ka patur regres, sidomos në ndeshjet e fundit. Mund të jetë dhe ana psikologjike e lojtarëve. Mbase do më shumë kampionë brenda. Mori trajnerin i cili ka qenë kampion me Durrësin, duhej akoma më shumë qetësi, është dhe ajo që rezultati duhet marrë edhe në minutën e fundit.
Po të shikosh në nivelet e larta në kampionatin anglez dhe ai spanjoll fitohet edhe në minutën e fundit, edhe në shtesë ndeshja. Atëherë do përqëndrim dhe përqëndrimi nuk vjen vetëm nga ana fizike, vjen nga ana mentale”, tha Zhupa.
