Qëndrimi në Superiore u arrit me sukses dhe në këto momente pritet të fillojë puna e vërtetë e Tiranës për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm. Bardheblutë e kanë të qartë idenë se e shkuara s’mund të mbetet më peng për vazhdimësinë e asaj që po vjen, ndaj dhe do të merren intensivisht për të bërë ndryshimet e nevojshme që do të kthenin kryeqytetasit në skuadrën pretendente për titullin kampion.
Për të bërë të mundur këtë, fillimisht duhet zgjidhur “dilema” e trajnerit, pasi Orges Shehi erdhi me misionin për t’i shpëtuar së paku nga “gremina” e rënies nga kategoria, ndaj dhe drejtuesit do të ulen në tryezë me teknikun durrsak për të kuptuar qëllimet, pasi dëshira nuk mungon, edhe pse në drejtimin e 48-vjeçarit ka interesime edhe nga Superliga e Kosovës.
Sa i takon kontigjentit, padyshim që kryeqytetasit do të kryejnë ndërhyrje për të rritur nivelin dhe shtuar konkurrencën mes pozicioneve, pasi merkatoja të “zhbllokohet”.
Disa prej emrave të përfolur deri më tani janë ato të Halilit dhe Kresic, të cilët mund të kthen në kryeqytet nëse gjendet gjuha e përbashkët për bashkëpunim. Po ashtu, Tirana ka në plan të rikthejë dhe një ish bardheblu si Marsel Ismajlgeci, mbrojtësin e krahut të majtë i cili mund të braktisë Bosnjen për t’u kthyer në vendin ku mori hapat e parë të karrierës. Kujtojmë se Ismajgeci ishte pjesë e ekipit kampion të Tiranës në sezonet 2019-2020 dhe 2021-2022.
