Vllaznia e femrave ka triumfuar përballë Apolonisë, në ndeshjen finale të “Final Four”, në kampionatin e vajzave. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, përfundoi në shifrat 2-0 në favor të shkodraneve.
Megi Doçi shënoi në minutën e 32-të, teksa në të 81-tën mendoi Deda, për të vulosur fitoren përballë fierakeve. Në këtë mënyrë, ky rrugëtim fantastik i Vllaznisë kurorëzohet me titullin e 13-të në histori të klubit.
Menjëherë pas përfundimit të kësaj sfide, u zhvillua dhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve si dhe të trofeut për skuadrën fituese, nga zëvendës-presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha.
Sezonin e ardhshëm, Vllaznia do të garojë në “Champions Path”, teksa Apolonia që vjen si nënkampione, do të jetë pjesë e “League Path”, me të dyja këto skuadra që do ta nisin aventurën europiane nga raundi i dytë kualifikues.
