Sylvinho shpalli këtë mëngjes listën me lojtarët që do të paraqitet në fushë në ndeshjen gjysmëfinale të play-off, e vlefshme për një kualifikim në Kupën e Botës.
Pavarësisht mungesave me rëndësi si Rey Manaj dhe Mirlind Daku, trajneri i Kombëtares mund t’iu besojë dyshes së rikthyer, Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit për këtë sfidë delikate në Varshavë, krahas shumë emrave të tjerë si Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Nedim Bajrami të cilët do të jenë po ashtu vlerë e shtuar e vijës ofensive.
Por, si i gjen përballja me Poloninë “muskutierët” e sulmit të Kombëtares? Në statistikat që do t’iu shtrojmë si më poshtë, mund të njiheni me performancat e tyre aktive në skuadrat me të cilat luajnë, numrin e ndeshjeve, golat e shënuar dhe sa kanë kontribuar për shokët e ekipit.
Ernest Muçi – Lojtari më në formë i momentit që po shkëlqen me Trabzonsporin në Turqi. Sulmuesi në 34 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet me klubin turk, numëron 13 gola dhe 8 asiste e me plot gojën mund të thuhet se ai e ka merituar këtë ftesë ku mund të japë një kontribut shumë të rëndësishëm në transfertën vendimtare në Poloni.
Anis Mehmeti – “Prurja” e re e Sylvinhos që prej se ka marrë drejtimin e kombëtares. Edhe pse kaloi nga Brystol City te Ipswich Towm, forma e tij mbetet po e njëjta. Një "energji" e shtuar në sulm dhe një aset i artë për Sylvinhon që të shfrytëzojë dobësitë e kundërshtarit përmes vertikalizimeve të tij. Në llogarinë e tij, Mehmeti numëron 42 ndeshje, 11 gola dhe 8 asiste. Shifra gati të përafërta me ato të Muçit.
Jasir Asani - U kthye në Shqipëri për të nisur stërvitjet pas tensioneve në Iran, aty ku luan për skuadrën e Esteghal. Qëndrimi në kryeqytet i ka bërë mirë anësorit i cili ka shfrytëzuar maksimalisht kohën për të qenë në gjendje fizike optimale për trajnerin. I quajtur si "njeriu i raketave", Asani mban kujtime të mira me këtë kundërshtar pasi ishte ai që shënoi eurogolin në "Air Albania" në sfidën e fituar përballë polakëve 2-0. Momentalisht, mund të krenohet me 13 gola dhe 4 asiste në 24 ndeshje në të cilat është paraqitur këtë sezon.
Arbër Hoxha - I shpejtë, driblues dhe "i hidhur" me të djathtën e tij. Në 32 ndeshje, Hoxha numëron 6 gola dhe 5 asiste.
Armando Broja - U rikthye në fushë te Burnley pas një dëmtimi që e mbajti gjatë jashtë fushave. Edhe pse ka 1 gol dhe 2 asiste në 21 ndeshje që ka luajtur këtë sezon, mund të kërcënoj në çdo moment skuadrën e Jan Urban.
Myrto Uzuni - Këtë sezon me skuadrën e Austin në Amerikë, lojtari që shënoi asistin vendimtar për golin e Asanit në Andorrë, ndeshje që na dha dhe kualifikimin në "play-off", numëron vetëm 1 gol në 4 ndeshje.
Nedim Bajrami - Edhe pse minutat i ka patur me pikatore në Skoci, Bajrami në 19 ndeshje ka shënuar 2 gola dhe 1 asist.
