Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

Sukseset nuk zbehen! Kombëtarja humbi një ndeshje, por “shkelmoi” inferioritetin

Shkruar nga NEWSPORT
Sukseset nuk zbehen! Kombëtarja humbi një ndeshje, por
Kombëtarja shqiptare

Një humbje që dhemb ajo përballë Polonisë, duke marrë parasysh rrjedhën në të cilën shkoi ndeshja. Goli i Arbër Hoxhës nuk mjaftoi, teksa rastet për të tundur rrjetën nga Nedim Bajrami dhe Stavro Pilo nuk u shfrytëzuan. Një eliminim që ka sjellë reagim të fortë dhe debate, të cilat janë të kuptueshme për vetë mënyrën si dueli i Varshavës shkoi, mes rasteve dhe disa gabimeve, pak nga njëri e pak nga tjetri, normale për natyrën e kujtdo. 

Por, a duhet hedhur poshtë puna e palodhur dhe sukesi i Kombëtares në vitet e fundit?! Sigurisht që jo. Kuqezinjtë janë transformuar nga viti në vit, duke bërë jehonë edhe përtej kufijve, madje kundërshtarët na shohin sot me një tjetër “sy”, atë të barabartit. Në vitet e fundit jemi përballur me përfaqësuese “BIG”, duke nisur nga Euro 2024 me Italinë, Kroacinë e Spanjën, e deri në kualifikueset e Botërorit 2026, ku në grup kishim një skuadër ekzemplare si Anglia.

Frikë nuk kishte, përkundrazi, punë dhe grintë e një niveli të lartë, duke u treguar që jemi të njejtë me ta. Ndoshta në cilësi kemi diferencë, por në shpirtin e garës dhe atë që kemi treguar në fushë, marrë shkas mundësitë tonë, sigurisht që kemi dhënë më shumë se maksimumin. Humbja në një nivel të tillë, si gjysmëfinalja e “play-off” të Kupës së Botës nuk na fut në krizë, por na nxjerr nga ndjenja e inferioritetit. Një inferioritet që e kemi përjetuar gjatë, por mesa duket sot ka ardhur koha që ta “shkelmojmë”. Sot, kemi një Kombëtare me identitet, me mentalitet, konkurruese dhe me objektiv të qartë, për të bërë atë që s’është bërë kurrë më parë.

Edhe në Varshavë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho ishin në lojë, reaguan mjaft mirë, struktura u mbajt, dominim polak nuk kishte. Përkundrazi, Shqipëria nuk u dominua, por u ndëshkua, dy gjëra këto, shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Kemi ardhur në atë pikë, që Shqipëria nuk është thjeshtë pjesëmarrëse, por një Kombëtare e fortë dhe rival i denjë, që futet në fushë pa iu “dridhur qerpiku”, për të bërë atë që di të bëjë më mirë, t’i japë tifozëve futboll pasioni dhe me shpirt gare. Pikërisht, kuqezinjtë sot janë brenda kësaj gare dhe jo jashtë saj. Një humbje në Poloni nuk tregon dobësi, por në mënyrën si shkoi dhe fjalët e thëna nga lojtarë si Robert Lewandowski, tregojnë nivel.

Sigurisht që të gjithë donim më të mirën, donim 200 përqind, donim Kupën e Botës, donim atë biletë për në SHBA, Meksikë e Kanada. E shikoni? Kemi ardhur në atë nivel që na dhemb pse nuk shkojmë në Botëror, por kjo nuk tregon fajin e lojtarëve dhe trajnerit për shkak të një humbjeje. Por, pasqyron qartë nivelin që kjo Kombëtare ka arritur, pasi sot Shqipëria nuk futet në fushë vetëm për eksperiencë, por për rezultat, ndonëse ashtu siç mund t’i ndodhë çdo ekipi, ndonjëherë rezultati mungon. Zhgënjim është i madh, sigurisht, duke treguar që pritshmëritë janë të larta, sepse tifozët besojnë. Një arritje në vetvete, që na bën të shohim përpara, të përkrahim në të mirë e në të keqe, duke kujtuar mundin, arritjet dhe sukseset brenda e jashtë kufijve, të kësaj Kombëtareje që s’mund të hidhet poshtë për një humbje.

Në fund të fundit, një humbje, sado e rëndësishme të jetë, nuk mund dhe nuk duhet të zbehë rrugëtimin, sakrificat dhe arritjet që kjo Kombëtare ka ndërtuar ndër vite. Futbolli është një cikël emocionesh, me ulje dhe ngritje, por identiteti i një ekipi kombëtar matet me qëndrueshmërinë dhe karakterin që tregon në momente të vështira. Kjo skuadër ka dhënë arsye për krenari, ka bashkuar tifozët dhe ka shkruar histori që nuk fshihen nga një rezultat i vetëm. Prandaj, më shumë se kurrë, është momenti për ta mbështetur dhe për të besuar se çdo pengesë është vetëm një hap drejt rikthimit më të fortë.

Poll

Lexo gjithashtu