Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

“Shqipëria shkon në Botëror me trajner Duron”, ish-mesfushori i Kombëtares me ide të qarta për të shkruar HISTORINË

Shkruar nga NEWSPORT
“Shqipëria shkon në Botëror me trajner Duron”,
Klodian Duro

Ish-mesfushori i Kombëtares Klodian Duro, ishte i ftuar në emisionin “Sport News” në “Neës 24”. Duro u ndal në tema të caktuar, ndërsa pati guximin për ta shprehur publikisht dëshirën e drejtimit të Kombëtares, madje i bindur se më atë trajner, Shqipëria do të kualifikohet në Kupën e Botës:

Dy përfaqësuese dhe një komb, të dyja ndalen në fazën “play-off” të Botërorit. Për kë u trishtove më shumë? Ku kishe më shumë pritshmëri?

Për të dy përfaqësueset tona, ishim shumë pranë realizimit të ëndrrës. Duhet të ishim të lumtur nëse njëra do shkonte në Botëror. Fatkeqësisht, asnjëra nuk ia doli, edhe pse ishim fare pranë realizimit të ëndrrës.

Në Botëror, madje për herë të tretë radhazi nuk shkoi as Italia, pse ne na la një shije kaq të keqe disfata në Poloni?

Ne ishim pranë. Duke ditur kundërshtarët, ishin të kalueshëm. Në Botëror shkon Suedia që e mbylli pa asnjë fitore, me vetëm 2 pikë. Kjo do të thotë se forma si e Polonisë, ajo e Suedisë, nuk ishte më e mira e mundshme.

Pati një diskutim të madh mbi zgjedhjet e Silvinjos, para dhe gjatë ndeshjes. A është përgjegjësi kryesor Silvinjo për eliminimin, apo fatura e këtij zhgënjimi duhet ndarë?

Në futboll kur humbet, aq më tepër që u mundëm dy herë, fatura më e madhe i shkon trajnerit, ky është një ligj parimisht në futboll. Silvinjo është profesionist i madh, ka bërë mirë në eleminatore, në këtë periudhë të fundit, ajo fitore në Serbi ishte më e madhja.

Në formacionin fillestar, e mendoja që nuk do bënte ndryshime në vendosje dhe lojtarë. Domethënë me një 4-3-3, i fokusuar te mbrojtja fillimisht dhe më pas çfarë do sjelli në fazën ofensive. Në momentin që ke potencial ofensiv, duhet ta shfrytëzosh. Në kombëtare nuk ka formacion fiks.

Muçi dhe Mehmeti? Përderisa i ke, duhet t’i shfrytëzosh. Në vend që t’i japësh 15-20 minuta, jepi 45 minuta. Po të bëj krahasim me eleminatoret që janë mbajtur më herët, në vend që të ecim përpara, kemi bërë hapa mbrapa. Ndryshimi që vura re, kemi luajtur me 3 mesfushorë stabilë.

3 vite në krye të Kombëtares, Silvinjo na dërgoi në Evropian dhe në “play-off” të një Botërori. Në këndvështrimin tënd, a është ky një cikël pozitiv, ose më saktë me çfarë note do e vlerësoje?

Silvinho ka dhënë gjithçka nga vetja e tij, është i ri në skenën europiane, me pak eksperienca. Iu dha një mundësi e artë, ne jemi kombëtare që merr pjesë në eleminatore në Europian.

Ti ke mundësi që të rrisësh edhe karrierën tënde, një lojtar i njohur, paralel me ato që po bën për kombëtaren, zhvillon edhe karrierën si trajner. Ai ka patur fatin të ketë gamë të gjërë lojtarësh.

Klod, je aktiv edhe në rrjetet sociale, shpesh edhe viral, Së fundmi, keni shprehur dëshirën për të qenë në krye të ekipit Kombëtar. A është realisht një ambicie e juaja? Apo thjesht dëshira e një ish lojtari që ka dhënë shumë për ekipin përfaqësues?

Në momentin që mbylla futbollin e luajtur, iu futa karrierës si trajner. Në hapat e mi të parë kam trajnuar në Shqipëri, me një ekip si Kukësi u futëm në Kupat e Europës dhe paralelisht fituam Kupën e Shqipërisë. Kur e nisa karrierën, ëndrra ime ishte që një ditë të jem në stolin e kombëtares.

Më bëri përshtypje një koment i legjendës Vasil Ruci në “News 24”, i pyetur nëse ishte pro apo kundër idesë për të patur në krye të kombëtares një trajner shqiptar. Vendosni kë të doni u shpreh, mjafton të jetë inteligjent. Ju si mendoni a ka ardhur koha për një trajner shqiptar?

Unë besoj që ka ardhur koha, në fillimet e tij i kam dhënë të drejtë Dukës. Në fillim shkolla e trajnimit nuk kishte këto kushte që ka sot.

Sot jemi të licensuar në UEFA, Federata është rritur në nivel. Ka ardhur koha që kjo federatë të prodhojë trajner për ekipin kombëtar. Unë mendoj që me lojtarët që ka Shqipëria, jam i bindur që çdo vit e dërgojmë në Europian dhe e dërgojmë në botëror për herë të parë.

Jemi te Kosova. U eliminuan në hapin e fundit, por në Kosovë po i trajtojnë si heronj, madje u dekoruan. Shkurtimisht, si e sheh të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës?

Kosova ka bërë hapa të shpejtë si nivel futbolli, për të mos thënë që është një hap më lart se ne. Ka avancuar shumë. Ka ndërruar shumë trajnerë, por me Fodan ka krijuar stabilitet.

Në ndryshim nga ne, Kosova me në krye Fodan ka shfrytëzuar potencialin e lojtarëve. Gallapeni luante me Prishtinën një vit më përpara, është 19-vjeçar dhe ishte kryesori në fushë.

Ndaj Sllovakisë Hoxha luante, ndeshjen e parë dhe realizoi golin e parë. Kosova ka shfrytëzuar më mirë se ne elementët e rinj. Ne nuk kemi arritur dot të aktivizojmë të rinjtë, pasi Sylvinho ka qëndruar besnik i filozofisë së tij.

Sigurisht, si shqiptar që janë edhe ata, po bëjnë zhurmë, akuzat ndaj Vedat Muriqit, më shumë se sa akuzat e një tifozi të rëndomtë, të shqetëson hapësira që iu dha një personi anonim. U përfshitë edhe ju në distancë në një diskutim të tillë…?

Të gjithë mund të japin opinione, mendime por në fund vlen ajo që thonë ata që e dijnë çfarë ndodh në fushë, ato që kanë luajtur në nivel superior dhe njerëzit që merren me atë punë. 

Vedati është i prekur por kushdo mund të flasë budallallëqet e veta, por nuk duhet t’i japim rëndësi njerëzve të pavlerë. Muriqi luan në Spanjë dhe është golashënuesi i dytë më i mirë, ai mban lart emrin e Kosovës në një vend që nuk e njeh Kosovën.

Kush shkon në Botëror e para?

Pavarësisht se Kosova kaloi një hap para nesh, unë mendoj që Shqipëria. Unë kam besim se me trajnerin Duro do jetë në Botëror për herë të parë në histori.

Poll

Lexo gjithashtu