
Elseid Hysaj ka folur në konferencën për shtyp para mediave në prag të ndeshjes që Shqipëria do të luajë përballë Serbisë. Kujtojmë që kjo sfidë e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026, do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Si do ta përjetojmë këtë ndeshje me Serbinë, duke pasur parasysh marrëdhëniet dhe ndeshjen e vitit 2014?
Kjo është një ndeshje e rëndësishme pasi është një kundërshtar direkt me ekipin tonë. Marrëdhëniet mes vendeve? Nuk duhet të përzihemi ne futbollistat pasi ka kush merret me këtë punë. Të koncentrohemi dhe të mendojmë për kundërshtarin dhe jo për probleme të tjera.
Mendoni se keni një rol kyç në aspektin psikologjik te lojtarët?
Të gjithë futbollistët janë fokusuar dhe e dinë që është e rëndësishme për futbollin dhe jashtë futbollit. Kam folur me disa lojtarë për ndeshjet e kaluara që kemi luajtur bashkë dhe të gjithë e dinë historinë e Shqipërisë. Të jemi sa më të qetë dhe të bëjmë sa më mirë në fushë.
Dihet rëndësia e ndeshjes, mund të jetë një motivim?
Është një presion i madh, por besoj se ky do të jetë i vlefshëm për të zbritur në fushë me kurajo. Është ndeshje e veçantë, por edhe ndeshje futbolli. Këto janë ndeshje futbolli ku duhet të futemi me qetësi dhe të marrim 3 pikët.
Ngjyrat nacionaliste dhe politike, keni qenë edhe titullar në të kaluarën përballë Serbisë?
Të gjithë e kanë parë ndeshjen në Serbi, nuk ishte e bukur. Është një ndeshje që e luajmë për Kombin tonë, nëse fitojmë është krenari e madhe për ne. Po luajmë kundër Serbisë, por ne mendojmë për profesionin, jemi futbollistë.
Si e gjete ti ekipin dhe si jeni nga ana fizike, teknike dhe taktike, duke ditur që kampionatet kanë mbaruar?
Unë ndihem mirë sepse u riktheva nga një dëmtim, tani ndihem shumë mirë. Gjithë çunat janë mirë, kampionati mbaroi mund të jenë të lodhur, por jo. Ndeshja është e veçantë dhe duhet të luajmë me zemër dhe shpirt, duhet të jemi të qetë pasi mund të jetë një tifozeri e zjarrtë dhe ta mendojmë mirë kur të jemi në fushë.
Keni marrë ndonjë udhëzim të veçantë nga trajneri?
Trajneri bën punën e tij, na mban me mendimin që të jemi të qetë dhe mos ta marrim me presion këtë ndeshje. Jemi të gjithë profesionistë. Serbia ka lojtarë të fortë, kemi luajtur në kampionate me ta, si në Serie A dhe jashtë Serie A. Por edhe ata e dinë që ne mund ta fitojmë këtë ndeshje.
Sa të rëndësishme janë këto 3 pikë në llogari të eleminatoreve të Botërorit?
Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, por kjo është direkte. Është kundërshtar që do të luftojmë. Anglia është skuadër shumë e fortë sepse nëse barazon është mrekulli. Kundër Serbisë mund të luajmë letrat tona dhe të kemi mundësinë për të fituar ndeshjen”.