Rolando Maran do të jetë trajneri që do të udhëheqë Kombëtaren shqiptare drejt ndeshjeve të ardhshme, ku fillimisht tekniku italian do të provojë të shfaqë aftësitë e tij në miqësoret e qershorit përballë Izraelit dhe më pas Luksemburgut, përpara se t’i drejtohet ndeshjeve zyrtare që kuqezinjtë do t’i luajnë në shtator në kuadër të Ligës së Kombeve.
62-vjeçari ka dhënë një intervistë të gjatë për median italiane "La Gazzetta Dello Sport", sa i përket ndjesive kur mori telefonatën për t'u bërë trajner i Shqipërisë, telefonata që mori nga Gianni De Biassi dhe se çfarë e pret skuadrën për objektivat në vazhdim.
INTERVISTA:
Pse vendose të ndryshosh jetën në moshën 62 vjeçare?
"Kur Shqipëria më telefonoi, u emocionova. Menjëherë ndjeva se ishte një kombëtare me një krenari të jashtëzakonshme dhe sens përkatësie."
Ku do jetosh tani, në Tiranë apo Itali?
"Në Tiranë. Për mua është një eksperiencë që duhet jetuar në këtë mënyrë: të dielën do të veproj për të nisur menjëherë nga puna. Edhe qyteti është i bukur, me një mikëpritje të jashtëzakonshme. Ndërsa bashkëshortja ime, e cila është një dizenjuese, do të duhet të vijë e të shkojë, jemi mësuar me këtë."
De Biasi dhe Igli Tare, çfarë të thanë?
"Sigurisht, Gianni është një mik, ishte i pari që më telefonoi. Më kujtohet shumë mirë aventura e tij. Po bëja tifozllëk për të. Ai më tha se nuk duhet të kisha dyshime, pasi po bëja zgjedhjen e duhur dhe që Shqipëria ka bërë gjënë e duhur duke më zgjedhur mua. Kjo më bëri të ndihem i lumtur. Interesant ishte dhe fakti që fola po ashtu me Igli Taren 20 ditë më parë në Milanello. S’mund ta kisha imagjinuar që do të drejtoja kombëtaren e tij."
Na përzgjidh një moment të veçantë nga këto ditë?
“Fanella e Shqipërisë me emrin tim dhe numrin 28 si Kampionati Europian ku ne duam të luajmë. Më dha një përshtypje përgjegjësie dhe kënaqësie.”
Le të shohim pak rrugëtimin. Nga Trento në Tiranë, 27 vite punë e palodhur?
"Unë vij nga një familje artizanësh, njerëz që gjithmonë kanë punuar fort. Babai dhe vëllezërit e mi kanë qenë në ndërtim, lyerje dhe punime panelesh. Edhe unë jam i tillë: nuk e dua vëmendjen, pasi më pëlqen puna.
Eksperienca e tij e parë si trajner ishte në sezonin 1997-98, si ndihmës i Silvio Baldinit te Chievo. Sot njëri drejton Italinë, tjetri Shqipërinë, dhe duket e pabesueshme po ta mendosh. Sinqerisht: sa “i çmendur” është Baldini nga 1 deri në 10?
“Jo aq shumë, më beso. Ka karakter shumë të fortë, por gjithmonë e di çfarë bën. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Më premtoi se do të më merrte me vete në Serie B dhe një orë pasi u ula në stol, më telefonoi. Për 10 sekonda lashë futbollin dhe thashë po.”
Momenti më i vështirë dhe më i bukur në këto vite si trajner?
“Më i vështiri ishte te Genoa, kur 22 lojtarë dolën pozitivë me Covid. Ishte pasiguri totale. Më i bukuri ishte debutimi ynë në Serie A, Roma-Catania 2-2 në gusht të vitit 2012: po fitonim duke luajtur mirë, ata barazuan në minutën e 91-të dhe në shtesë goditëm traversën me Castro. Ishte prova që kishim shkuar për të fituar, jo për një pikë.”
Çfarë ke mësuar në këto 10 vitet e fundit?
“Jam bërë më tolerant. Dikur kisha më pak durim; nëse gjërat nuk shkonin si doja unë, zemërohesha shumë. Kam mësuar të pranoj mënyra të ndryshme të të jetuarit të futbollit.”
Një shembull?
“Pitu Barrientos te Catania. Dukej sikur ishte dembel, por tani kuptoj që më dha gjithçka. Ose më saktë, gjithçka që kishte.”
A është Papu Gomez lojtari më i fortë që ke trajnuar?
“Është e vështirë të përgjigjem. Papu, Barella, Srna, Nainggolan, Almiron, Pandev në fund të karrierës…”
Si është të trajnosh Nainggolanin?
“Spektakël. Jashtë fushe është, le të themi… i shfrenuar, por në fushë ishte kënaqësi. Të bënte krenar.”
Çfarë do të të bënte krenar në këtë eksperiencë me Shqipërinë?
“Objektivi është rikthimi në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe kualifikimi në Europian. Ëndërroj të arrij rezultate të mëdha dhe të shkruaj histori. Falënderoj presidentin e federatës, Dukën, për zgjedhjen: stadiumi i Tiranës më la pa fjalë dhe mezi pres të drejtoj aty. Dua të ndjek sa më shumë seanca stërvitore dhe të mësoj shqip për të folur me lojtarët. Dua të trajnoj siç kam luajtur gjithmonë: futboll proaktiv, vertikal dhe luftarak. Arritja e rezultateve me djersë dhe punë është pjesë e ADN-së së këtij kombi.”
Le të bëjmë një test me dy pyetje për të kuptuar çfarë trajneri do të jetë Maran. Pyetja e parë: kombëtarja juaj e preferuar e të gjitha kohërave?
“Italia e viteve ’82. Isha 19 vjeç dhe ëndërroja të bëhesha futbollist: mosha ideale për ta përjetuar atë emocion. Pastaj Holanda e Cruijff-it. Luante një futboll kaq të sofistikuar sa për ne fëmijët dukej si ëndërr.”
Pyetja e dytë: lojtarët e preferuar sot?
“Ata teknikët. Të themi Pedri, Olise, Mbappé.”
Dhe e kujton atë frazën e Gigi Rivës për Cagliarin e tij?
“Si mund ta harroj? Riva ishte burrë me B të madhe dhe kampion i vërtetë. Do të jem krenar përgjithmonë për ato komplimente.”
