Ish-kapiteni i Shqipërisë Rudi Vata, ishte në lidhje live me emisionin “Sport News” në “News 24”, e ku kryefjala është dueli i shumëpritur Poloni – Shqipëri. Vata paralajmëroi trajnerin Sylvinho, se nëse do të luajmë lart, pra në zonën mike, do të rezultonte “vetëvrasje”:
“Kundër Polonisë është ndeshje historike. Dy ndeshje larg për të arritur në një Botëror. Njëkohësisht shkalla e vështirësisë është shumë e lartë, sikurse përgjegjësia shumë e madhe.
Në letër, Polonia është favorite, ndërsa ne më pak të favorizuar. Kjo tregon se presioni është i madh te kundërshtari. Bëm ndeshje të jashtëzakonshme me Serbinë, tani është radha në Poloni… Muçi dhe Mehmeti kanë marrëdhënie shumë të mirë me golin.
Muçi e njeh shumë mirë mentalitetin polak, pasi ka luajtur me Legian e Varshavës. Jam i sigurtë se Sylvinho do të bëjë presion poshtë, sepse nëse do luajmë lart, do ishte vetëvrasje.
Ekipi ka nevojë te jetë kompakt në këtë përballje, e ngjeshur, duhet të kemi dublime. Të tentojmë me kundërsulme. Në mbrojtje, Polonia është pak e ngathët, nuk kanë ndonjë dinamizëm”.
