Muaji nëntor rikthen emocionet kuqezi. Ndeshje shumë të rëndësishme për ekipet Kombëtare janë të programuara, duke nisur nga Kombëtarja A që është më pranë se kurrë sigurimit të objektivit “play-off”, për të vazhduar ëndrrën drejt Botërorit 2026.
Kuqezinjtë do të zbresin në fushë më 13 nëntor në përballjen ndaj Andorrës në transfertë, në stadiumin “Andorra National”, në orën 20:45. Shqipëria do të mbyllë edicionin kualifikues më 16 nëntor me ndeshjen ndaj Anglisë, në stadiumin “Air Albania”, në orën 18:00.
Pasi siguroi qëndrimin në Ligën B, Kombëtarja e vajzave ka në program dy ndeshje miqësore ndaj Turqisë. Sfida e parë do të luhet më 28 nëntor në stadiumin “Necmi Kadıoğlu”, në orën 14:00. Takimi i dytë do të zhvillohet më 1 dhjetor, në stadiumin “Yusuf Ziya Öniş”, në orën 14:00.
Edhe Kombëtarja U21 do të zbresë në fushë për dy ndeshje miqësore. E para në transfertë ndaj Moldavisë më 13 nëntor, në “Sports Complex Sheriff”, në orën 15:00. Më pas, kuqezinjtë do të rikthehen në shtëpi dhe më 17 nëntor do të luajnë ndaj Ukrainës, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 18:00.
Federata e Futbollit do të organizojë në nëntor dy turne kualifikues, Euro U19 për djem dhe Euro U19 për vajza.
Turneu për djem nis më 12 nëntor dhe marrin pjesë Shqipëria U19, Mali i Zi U19, Sllovakia U19 dhe Ukraina U19. Kombëtarja U19 do të luajë ndaj Ukrainës U19 ndeshjen e parë në stadiumin “Niko Dovana”, më 12 nëntor, në orën 14:00.
Takimi i dytë, Sllovakia U19 – Shqipëria U19, do të luhet në stadiumin “Niko Dovana”, më 15 nëntor, në orën 14:00. Ndeshja e tretë kualifikuese, Shqipëria U19 – Mali i Zi U19, është programuar më 18 nëntor, në “Niko Dovana”, në orën 14:00.
Turneu U19 për vajza nis më 25 nëntor dhe Shqipëria është pjesë e grupit B2, së bashku me Sllovakinë, Lihtenshtejnin dhe Luksemburgun.
Ndeshja e parë, Shqipëri U19 – Luksemburg U19, do të luhet në “Air Albania”, më 25 nëntor. Ndeshja e dytë, Sllovaki U19 – Shqipëri U19, do të zhvillohet më 28 nëntor, sërish në “Air Albania”. Turneu do të mbyllet më 1 dhjetor me sfidën Lihtenshtejn U19 – Shqipëri U19, që do të luhet në “Air Albania”. Oraret e ndeshjeve do të përcaktohen nga UEFA.
Kombëtarja U17 do të luajë në turneun kualifikues Euro U17, që do të zhvillohet në Kroaci. Shqipëria është pjesë e grupit 8 së bashku me Kroacinë, Kazakistanin dhe Holandën.
Ndeshja e parë, Shqipëri – Holandë, do të luhet më 11 nëntor, në orën 13:45, në “Sportski Park NK Graničar”. Ndeshja e dytë, Kroaci – Shqipëri, është programuar më 14 nëntor, në orën 11:30, në “SRP Trate Nedelišće”. Ndeshja e fundit, Shqipëri – Kazakistan, do të zhvillohet më 17 nëntor, në orën 11:30, në “SRP Trate Nedelišće”.
Në ditët e para të muajit nëntor do të mbyllet turneu UEFA Development U15, që po organizohet nga Federata e Futbollit. Ndeshjet e fundit janë programuar më 3 nëntor. Shqipëria do të përballet me Kosovën, në orën 14:00, ndërsa Armenia – Maqedonia e Veriut do të luhet në orën 10:00. Të dyja takimet zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”.
