 
Kristjan Asllani konfirmohet ‘ogur i mirë’ me kombëtaren shqiptare. Në Tbilisi mesfushori shënoi golin e tretë me fanellën kuqezi, për të kurorëzuar kështu formën e treguar në fushën e lojës. 
 
 Gol që merr tepër peshë jo vetëm për kombëtaren tonë, por edhe për Asllanin. Realizimi mund ta ndihmojë për të qënë titullarë me Interin, teksa heroi i fitores minimale 0-1 ndaj Gjeorgjisë ruan një rekord personal. 
 
 Mesfushori ka shënuar në total 3 gola, ose e thënë ndryshe nga një në tre vitet e fundit.Të tre golat e shënuar prej 22-vjeçarit kanë dhuruar fitore për Shqipërinë. 
 
 Gjithçka e nisur ndaj Armenisë në miqësoren e nëntorit të vitit 2022. Asokohe, Asllani shënoi me penallti për të vulosur fitoren 2-0. Në mënyrë spektakolare, mesfushori i Interit shënoi në portën e Ishujve Faroe në fitoren 1-3 e që më pas i hapi udhë kualifikimit në Kampionatin Europian 2024.  
 
 Gol i shënuar në qershorin e vitit 2023, por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti që sa herë shënon Asllani, Shqipëria nuk njeh rival. 
 
 
 
                                 
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                       
 
                			                        
                			                        
                			                       