Armando Broja u rikthye në fushë ditën e djeshme me ekipin e tij Burnley. Këta të fundit barazuan 0-0 në shtëpi përballë Bournemouth, në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të Premier League.
Minuta kishte pra edhe për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, i cili qëndroi në fushë 13 minuta, prej minutës së 88-të deri në të 99-tën. Kaq mjaftoi, që sulmuesi 24-vjeçar të tregonte vlerat e tij.
Në dy raste, Broja u shfaq i rrezikshëm për mbrojtjen kundërshtare. Si fillim nisi një aksion mjaft të bukur, teksa pak minuta më vonë kreu një sprint personal, duke panikosur mbrojtësit e Bornemouth.
Edhe pse pak minuta në fushë dhe pas një dëmtimi aspak të lehtë, duket se Broja po e merr veten. Një lajm mjaft i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare në prag të duelit me Poloninë.

