
Elseid Hysaj prej muajsh tashmë përflitet për një largim nga Lazio. Shqiptari nuk dukej pjesë e planeve të stafit, por tashmë duket se gjërat kanë ndryshuar.
Dëmtimi i Manuel Lazzari e ka çuar “telenovelën” në një rrjedhë tjetër. Në këto kushte Baroni me shumë gjasa do të kthejë sytë nga Hysaj.
Duke qenë që nuk ka shumë alternativa në atë pozicion të krahut, për teknikun Baroni është thelbësore që të ketë një lojtar që mund të alternojë me Marusic. Siç raportohet nga Corriere dello Sport, Lazzari do të jetë jashtë fushave për rreth një muaj dhe me siguri do të humbasë disa ndeshje me skuadrën Biancoceleste.
Kujtojmë se mbrojtësi i Kombëtares ka kontratë me Lazion deri në qershor të vitit 2026, ndërsa për të interes kishte nga Lecce.