Ëndrra e Shqipërisë për një kualifikim në Botëror u ndërpre në mes në mbrëmjen e 26 marsit në Varshavë, ku kuqezinjtë u mposhtën me përmbysje nga Polonia 1-2.
Një ndeshje që la pas zhgënjim dhe pengjet për rastet e pashfrytëzuara në portën e Grabarës, ku Bajrami dhe Pilo mund të kishin bërë gjithçka për një ngjarje që do stampohej në historinë e Kombëtares.
Lidhur me këtë disfatë, ka mbajtur një qëndrim dhe ish-mesfushori Klaus Gjasula i cili një vit më parë njoftoi tërheqjen nga ngjyrat kuqezi.
“Humbja ndaj Polonisë dhemb, por nuk ka vend për negativitet. Kemi qenë pjesë e Europianit dhe shumë pranë Botërorit. Ne jemi Shqipëria, ka kombëtare që presin me vite dhe nuk ia dalin, pavarësisht përpjekjeve. Prandaj duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shohim anët pozitive”, ka deklaruar Gjasula.
36-vjeçari ishte ndër protagonistët e Europianit të kaluar, ku la gjurmë me golin e tij në minutat e fundit të ndeshjes me Kroacinë, duke shlyer kështu dhe gabimin me autogolin që solli avantazhin e kroatëve.
