
Mirlind Daku mund të largohet nga Rubin Kazan dhe krejtësisht nga Rusia gjatë kësaj merkato dimërore. Pikërisht për situatën e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, ka folur së fundmi babai i tij, Fehmi Daku në një intervistë të dhënë për “Sport24”.
Ky i fundit thotë se asnjë klub nuk e ka kontaktuar deri më tani. Ndër të tjera thekson, se çështja është shumë e thjeshtë, ose rinovim me Rubin Kazan, ose transferim me një ekip tjetër, dy opsionet e mundshme që mund të ndodhin këtë dimër.
“Për momentin nuk na ka kontaktuar asnjë klub. Sa për Zenitin, mund të ketë pasur interesim, por asgjë më shumë. Tani është koha për transferime, kështu që një lëvzje drejt një klubi tjetër është e mundshme. Unë dhe Mirlindi po zgjedhim dy rrugë, një kontratë afatgjatë me Rubinin ose një transferim.
Më pas, i takon menaxhmentit të vendosë. Mendimi i tyre është gjithashtu i rëndësishëm për ne. Mendoj se në fillim të vitit tjetër, me hapjen e dritares së transferimeve, do të fillojë puna në këtë drejtim”, është shprehur Fehmi Daku.