Futbollisti shqiptar me tipare ofensive Anis Mehmeti, ka folur për “Sky Sport”, teksa “epiqendra” kishte të bënte me Ipswich Town. Gjatë merkatos dimërore, 25-vjeçari vendosi të largohet përfundimisht nga Bristol City, ndërsa në 32 ndeshje këtë sezon me ekipin pararendës, shënoi 9 gola dhe 6 asiste.
Mehmeti nuk ka kursyer lëvdatat për ekipin e ri, madje duke i cilësuar më të fortët në Championship. Synimi kryesor i Ipswich Town do të jetë ngjitja në Premier League, aty ku gara është e “ethshme”.
“Ne e dimë që 'Pride Park' është një vend i vështirë dhe duhej që të rikuperonim pas dy rezultateve të fundit. Ia dolëm ta bënim këtë. Djemtë ishin këmbëngulës dhe jam i lumtur që morëm tre pikët.
Po e shijoj shumë kohën time këtu. Kam ardhur me ambicien që të ngjitemi një kategori më lart me këtë klub të madh. Ndaj po i gëzohem kohës time këtu dhe po marr çdo ditë si të vijë, duke shijuar futbollin tim dhe duke u munduar që të kontribuoi në fitoret.
Ne jemi besimplotë, djemtë e kanë bërë këtë edhe më parë. Ne thjesht i marrim gjërat ditë pas dite si të vijnë. Sipas meje, me shumë mundësi jemi ekipi më i fortë në këtë kampionat.
Ndaj kemi çdo mundësi që të bëjmë atë që duhet të bëjmë, që do të thotë të fitojmë ndeshje dhe shpresojmë që të arrijmë objektivin tonë në fund të sezonit”, u shpreh Anis Mehmeti.
