
Maurizio Sarri tashmë ka rimarrë në dorë “frenat” e Lazios për sezonin e ri. Timonieri italian zëvendëson kështu në stol Marco Baronin.
Me rikthimin e Sarrit tashmë shumë gjëra do të ndryshojnë te Lazio. Një prej tyre do të jetë edhe çështja mbi të ardhmen e Elseid Hysajt. Mbrojtësi i Kombëtares deri para rikthimit të Sarrit ishte thuajse i larguar, por tashmë me shumë gjasa do të qëndrojë.
Timonieri aktual tashmë i Lazios, e pëlqen shumë shqiptarin, me të cilin siç dihet ka një marrëdhënie mjaft të mirë prej vitesh tashmë, ku kanë bashkëpunuar. Por jo vetëm qëndrim, mund të ketë edhe rinovim të kontratës për mbrojtësin kuqezi.
Hysaj konsiderohet si futbollisti më i besuar i Sarrit, i cili ka luajtur në 346 ndeshje nën drejtimin e italianit me skuadrën e Empolit, Napolit dhe Lazios. Gjithsesi në ditët në vazhdim do të zbulohet saktësisht se çfarë do të vendoset për të ardhmen e 31-vjeçarit.