
Portieri Alen Sherri i është nënshtruar sot një operacioni, pas dëmtimit serioz që pësoi gjatë sfidës së Kupës së Italisë kundër Monzës. Pas një përplasje aksidentale me një bashkëlojtar, ai pësoi fraktura të shumta në fytyrë dhe u detyrua të largohej nga fusha i gjakosur, duke u dërguar menjëherë në spital ku kaloi natën.
Pas vlerësimeve të bëra nga mjekët specialistë, është konstatuar se ndërhyrja kirurgjikale ishte e domosdoshme. Sherri iu nënshtrua operacionit për të rregulluar dëmtimet në zonën e mollëzave dhe kockës së hundës. Sipas njoftimit zyrtar të klubit të Frosinone, rikuperimi i tij pritet të zgjasë rreth dy muaj, nëse procesi i riaftësimit shkon sipas parashikimeve.
NJOFTIMI:
Frosinone njofton se futbollisti Alen Sherri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për të reduktuar një frakturë polifragmentare të kompleksit të djathtë orbital-maksilo-malar dhe kockave hundore, me rindërtim të dyshemesë orbitale dhe mbajtje me pajisje fiksimi prej titaniumi. Ndërhyrja kirurgjikale u krye nga Profesor Roberto Pistilli dhe ekipi i tij (Dr. Valter Kolanxheli dhe Dr. Chiara Veneroso – Anesteziste Dr. Milena Sangiovani) në Departamentin e Kirurgjisë Maksilofaciale të Spitalit “San Camillo-Forlanini” në Romë dhe ishte teknikisht e suksesshme. Portieri do të fillojë programin e tij të rehabilitimit në ditët në vijim. Koha e rikuperimit pritet të jetë 60 ditë