Futbollistët e Kombëtares do të zbresin sot në fushën e blertë për ndeshjet e radhës në kampionatet respektive ku ata luajnë me klubet e tyre.
Fillimisht, radhën pritet ta marrë Qazim Laçi me Rizespor, e cila do të përballet me Kayserispor, për llogari të javës së 31-të të Superligës turke në orën 16:00.
Me protagonizmin e shfaqur gjatë këtij sezoni, me gola dhe asiste, e gjithë vëmendja do t’i drejtohet mesfushorit i cili do tentojë të lërë gjurmë sërish në këtë sfidë, siç ka bërë zakonisht.
Në anën tjetër në Serie A, zbret Ylber Ramadani me Leccen. Skuadra e tij do të masë forcat në transfertë përballë Veronës e cila nis në orën 20:45 dhe do tentojë maksimumin e pikëve për të parakaluar në renditje Cremonesen e cila u mposht nga Napoli 0-4.
Me pikë të barabarta me rivalin e drejtpërdrejtë për mbijetesë, Lecce e mesfushorit shqiptar shpreson për qëndrimin në elitë edhe sezonin e ardhshëm, ndërsa pritet me shumë interes se si do të ndikojë lojtari i Kombëtares në këtë sfidë delikate.
