
Mirlind Daku bëri një paraqitje fantastike me Rubin Kazan në ndeshjen e fundit që fituan përballë Akron Togliatti. Sfida e vlefshme për kampionatin rus, përfundoi 3-0 në favor të Rubin.
Ishte pikërisht Mirlind Daku ai që shënoi dy golat e parë për të tijët. Edhe pse me Kombëtaren ishte disi në hije, Daku u rikthye në superformë në Rusi, duke shënuar dopietë.
Pikërisht pas kësaj sfide, sulmuesi shqiptar është takuar me ish-futbollistin e njohur rus, Artyom Dzyuba. Ky i fundit u shpreh se në këto momente Daku është më i fortë seç kanë qenë Zlatan Ibrahimovic dhe Cristiano Ronaldo.
Një vlerësim tepër i madh për Dakun, me sulmuesin e Kombëtares që është kthyer në një pikë kyçe për ekipin rus.
Madje me dy golat e shënuar ai ka fituar respektin e shumë tifozëve. Kjo pasi në prag të ndeshjes, gjilanasi u kishte premtuar dy tifozeve të vogla nga një gol për secilën.
“Ju e dini se çfarë thashë para ndeshjes. Unë thashë se do të shënoja dy gola, një për ty, dhe një për ty”, u ka thënë Daku tifozeve pas premtimit të mbajtur me dygolëshin e shënuar.