Jemi futur në muajin vendimtar për ekipin Kombëtar, që do të luajë dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Andorrës dhe Anglisë, me synimin për të ruajtur vendin e dytë dhe për të siguruar fazën play off.
Legjionarët kuqezi po vazhdojnë të shfaqin një formë shumë të mirë me klubet e tyre, teksa javën që lamë pas spikatën me gola vendimtarë dhe asiste.
Medon Berisha e gjeti sërish rrugën e rrjetës në Seria A me Leccen, duke shënuar golin e fitores ndaj Fiorentinës. Përveç golit, mesfushori kuqezi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe u shpall lojtari më i mirë i takimit.
Vazhdon momenti i shkëlqyer i Arbër Hoxhës, i cili këtë fundjavë shënoi një supergol për Dinamo Zagreb në minutën e 84 dhe i dha fitoren skuadrës së tij ndaj Rijekës me rezultatin 2-1.
Mario Mitaj shënoi në barazimin spektakolar 4-4 të Al Ittihad ndaj Al Khaleej, duke realizuar golin e tretë të skuadrës në minutën 90+6.
Jasir Asani vazhdon të jetë protagonist në Iran me Esteghlalin. Në fitoren 3-1 ndaj Aluminium Arak, sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë të takimit nga penalltia, duke arritur golin e pestë sezonal në kampionat.
Indrit Tuci shënoi gol këtë fundjavë, pasi u aktivizua nga stoli dhe i dha fitoren Kayserispor ndaj Kasimpasa në triumfin 3-2. Tuci hyri në lojë në minutën e 77 dhe katër minuta më pas realizoi me kokë, duke siguruar tre pikë të vlefshme për skuadrën e tij.
Ardian Ismajli është rikthyer titullar me Torinon dhe në barazimin 2-2 ndaj Pisa asistoi për Giovanni Simeonen në golin e parë të skuadrës.
Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Simon Simoni, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti dhe Rey Manaj.
