
Lojtarët e Kombëtares shqiptare po kalojnë një formë shumë të mirë në fundin e sezonit, duke u bërë vendimtarë në klubet e tyre.
Për të dytën ndeshje radhazi, Kristjan Asllani ishte protagonist për Interin, teksa gjeti sërish rrugën e rrjetës në fitoren në transfertë ndaj Torinos me rezultatin 2-0. Mesfushori kuqezi e nisi ndeshjen si titullar dhe shënoi golin e dytë të zikaltërve në minutën e 49-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Tri pikë shumë të rëndësishme për Interin që vijon garën për titullin në Serie A, ndërsa kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i sezonit të rregullt.
Pas një periudhe prej dy muajsh, Mirlind Daku u rikthye te goli në kampionatin rus. Sulmuesi i Kombëtares realizoi golin e fitores për Rubin Kazan ndaj Rostov, duke shënuar në minutën e 91-të dhe duke i dhënë tri pikët skuadrës së tij. Në fund të takimit, Daku u vlerësua edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Një formë shumë të mirë po kalon edhe Adrion Pajaziti në Kroaci. Mesfushori kuqezi shënoi për Gorica-n në sfidën ndaj Hajduk Split, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 48-të. Megjithatë, kundërshtarët barazuan në minutën e 55-të dhe takimi u mbyll 1-1.
Titullarë këtë javë ishin edhe Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Juljan Shehu, Nedim Bajrami, Anis Mehmeti, Jasir Asani, Myrto Uzuni dhe Rey Manaj.
Ndërkohë, si zëvendësues dhanë kontributin e tyre edhe Andi Hadroj, Medon Berisha, Qazim Laçi, Indrit Tuci dhe Arbër Hoxha.