
Cristian Shpendi po shkëlqen në Serie B italiane me Cesenan. Sulmuesi i Shqipërisë U21, vazhdon të dhurojë performanca të shkëlqyera, me të cilat ka marrë vëmendjen e klubeve “big” në Itali.
Është vetë drejtori sportiv i Cesenas, Fabio Artico që ka folur së fundmi për situatën e Shpendit, që momentalisht është i dëmtuar. Përtej kësaj, Artico thotë se për talentin shqiptar ka marrë telefonata.
“Për mua është e pamundur që ai të jetë i gatshëm përpara ndërprerjes së kampionatit. Në po punojmë që ta kemi në 100%-shin e tij. Cristian i ka befasuar të gjithë, edhe ata që besonin në cilësitë e tij.
Deri tani kam marrë vetëm telefonata që thonë: ‘E njohim atë (Shpendin), le të shohim, do të flasim’. Por nuk kam marrë asnjë ofertë. Çmimi i tij vendoset nga tregu dhe nga vazhdueshmëria e asaj që ai po bën”, është shprehur Artico.
Në këtë sezon, 21vjeçari ka zhvilluar 19 ndeshje. Në këto sfida, Shpendi ka shënuar plot 12 gola.