Ernest Muçi nuk do të jetë pjesë e Trabzonsporit edhe për ndeshjen e radhës që ata do të luajnë të shtunën përballë Alanyasporit, duel i vlefshëm për javën e 29-të.
Në listën e bërë publike në rrjete sociale, vihen re zgjedhjet e trajnerit Fatih Tekke e ku vihet re mungesa e sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Forma jo e mirë fizike e shfaqur së fundmi ende s’e ka bindur teknikun turk ta rikthejë në grumbullime, duke preferuar ta lërë jashtë edhe për një tjetër sfidë delikate në garën për titullin kampion.
Distanca me vendin e parë është vetëm 4 pikë dhe mungesa e Muçit ka reflektuar jo pak në performancën e skuadrës, e cila pret me padurim rikuperimin e plotë të 25-vjeçarit.
Sulmuesi shqiptar nuk ishte as në takimin me Galatasarayn, fituar nga “djemtë” e Tekke me rezultatin 2-1. Gara vijon të jetë e hapur në “kilometrin” e fundit, kur kanë mbetur dhe 7 javë. Prezenca e njeriu gol është e rëndësishme tek klubi turk, pasi këtë sezon Muçi ka shënuar 10 gola dhe ka asistuar 3 të tjerë.
