Ernest Muçi është kthyer në çështje në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është momentalisht në huazim nga Besiktas te Trabzonspor. Ndërkohë që këta të fundit kanë të drejtën e blerjes, deri më 10 maj.
Shuma e plotë që klubi nga Trabzoni duhet të paguajë për shqiptarin, është 8.5 milionë euro, me 5 këste. Pikërisht deri më 10 maj, Trabzonspor duhet të derdhë në arkat e Besiktas, 2 milionë euro, për ta bërë të tijin Muçin.
Nëse shuma e caktuar nuk do të paguhet, ish-i i Tiranës do të rikthehet në “shtëpi”, tek Besiktas, klub i cili i zotëron kartonin. Megjithatë, gjasat që të qëndrojë te “Shqiponjat e Stambollit” janë tepër të vogla.
Me shumë mundësi, Muçi do të shitet diku tjetër, teksa të interesuarit nuk mungojnë. Deri më tani këtë sezon, 25-vjeçari shqiptar ka shënuar 13 gola dhe asistuar në 8 të tjerë.
