Një nga fitoret më të bujshme në historinë e Shqipërisë përsa i takon futbollit është triumfi kundër Greqisë në 2004. Vetëm pak muaj pas triumfit në Kampionatin Europian ndaj Portugalisë, “helenët” u përballën me Kombëtaren në stadiumin “Qemal Stafa”.
Një ditë para ndeshjes, kryemistri i asaj kohe Fatos Nano iu dha “besën” se në rast fitoreje, premium do ishte 500 mijë dollar dhe kështu ndodhi, e fituar 2 – 1 nga kuqezinjtë.
Për ta vërtetuar këtë episod ka folur ish-sulmuesi Rezart Dabulla: “500 mijë dollarshi është i vërtetë, sepse unë kam qenë pjesë e Kombëtares në atë periudhë. Në ndeshjen ndaj Greqisë kam qenë në stol. Shuma u nda në mënyrë të barabartë. Nuk u bë diferenca se kush luajti dhe kush jo.
Të gjithë lojtarët që ishin pjesë e Kombëtares, edhe ata në stol apo të tjerët në tribunë kanë marrë një shumë të njëjtë. Kemi marrë të gjithë nga 18 mijë dollarë për person. Mos të harrojmë, dollari i asaj kohe nuk kishte vlerën e tanishëm”.
