
Njulend Palaj, 28 vjeçari i konsideruar si "truri" i lokaleve të basteve "CR7" dhe "333", është arrestuar nga efektivët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit nr.4 në Tiranë, teksa ishte duke vendosur dhe vetë loto sportive.
Në vijim të kontrolleve me qëllim konstatimin e ambienteve të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, është finalizuar operacioni “Rezultati”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit:
- Njulend Palaj, 28 vjeç, Arsen Zebi, 35 vjeç, Florian Çela, 41 vjeç, Ergest Lloci, 36 vjeç dhe Erigest Alisha, 24 vjeç.
Në lokalin në pronësi të Njulend Palaj në zonën e Xhamllikut, i cili administrohej nga 35-vjeçari Arsen Zebi, u kapën këta shtetas dhe tre persona të tjerë, të cilët kanë qenë duke vendosur baste sportive me celularë.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, u sekuestruan 6 aparate celularë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njulend Palaj konsiderohet “truri” i lokaleve 333 dhe CR7 dhe ka qenë kohët e fundit në qendër të investigimeve mediatike, sepse bastet sportive janë të ndaluara me ligj në Shqipëri, por rrjeti i lokaleve në pronësi të tij vetëm është shtuar.
Dyshimet janë se 28 vjeçari është vetëm menaxher i këtyre pikave, pavarësisht se figuron si pronarë, duke fshehur drejtuesit e vërtetë që qëndrojnë pas këtij aktiviteti të paligjshëm.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore, të kryera me qëllim konstatimin e ambienteve të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, finalizuar operacionin “Rezultati”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit Nj. P., 28 vjeç, A. Z., 35 vjeç, F. Ç., 41 vjeç, E. Ll., 36 vjeç dhe E. A., 24 vjeç.
Në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit, që administrohej nga 35-vjeçari, në rrugën “Sadik Petrela”, u kapën këta të dy dhe 3 të arrestuarit e tjerë, duke vënë baste sportive, me celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.