
Pas emërimit zyrtar në krye të Kombëtares U-17, trajneri Fatjon Tafaj ka dhënë intervistën e parë për fshf.org, ku ka ndarë emocionet e rikthimit në Federatën e Futbollit, këtë herë si trajner i parë. Ai ka folur për objektivat e punës me ekipin, rëndësinë e zhvillimit të lojtarëve të rinj dhe projektet që do të ndiqen në vijim. Tafaj ka komentuar edhe organizimin e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”, duke e cilësuar një sukses të plotë, me ekipe cilësore dhe futboll të nivelit të lartë.
Emocionet e rikthimit? – Është vlerësim për mua që rikthehem në Federatën Shqiptare të Futbollit, këtë herë si trajner i parë. Kjo është eksperienca ime e dytë, pas një eksperience me ekipin Kombëtar U-21 përkrah trajnerit Alban Bushi. Dua të falënderoj shumë FSHF-në, Presidentin Armand Duka dhe gjithashtu drejtorin Pea, që më dhanë mundësinë për të ardhur dhe për t’u bërë pjesë e shtëpisë së futbollit shqiptar.
Kampionati Europian U-17 “Shqipëri 2025”? – I ndoqa pothuajse të gjitha ndeshjet. Organizimi ishte në perfeksion. Skuadrat ishin mjaft cilësore, u prodhua futboll, ndoqa edhe ekipin shqiptar. Ka elementë që janë goxha premtues. Sigurisht që ekipet ishin shumë të forta, pasi të luash kundër kundërshtarëve të tillë nuk është e lehtë, pavarësisht se ke edhe kualitetin brenda. Por ajo që unë pashë dhe që është shumë e rëndësishme, ka elementë goxha të mirë te Kombëtarja U-17.
Objektivat? – Sigurisht, do të nisë me projektin “Step by Step”, ku do të fillojmë me pjesën e trajnimit të lojtarëve. Më pas kemi një projekt tjetër që lidhet më shumë me pjesën e zyrës. Do të ketë punë të madhe edhe me skautimin e lojtarëve, që do të realizohet në bashkëpunim me stafin e skautimit, drejtorin dhe të gjithë të tjerët për seleksionimin. Është shumë e rëndësishme ulja e marzhit të gabimit. E them këtë sepse shikoj që ka elementë shumë të mirë, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit. Qëllimi është të kemi sa më shumë lojtarë cilësorë.