
Federata e Futbollit ka pranuar një letër falënderimi nga një grup studentësh me aftësi të kufizuara nga Kosova “Handicap Students of Kosovo” pas ndeshjes Shqipëri – Serbi, e cila u zhvillua në stadiumin “Air Albania”.
Këta studentë ishin pjesë e një grupi të gjerë përfaqësuesish nga Shoqata e të Verbërve, Shoqata e Invalidëve, si dhe individë me aftësi të kufizuara nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, të gjithë me origjinë shqiptare, të cilëve FSHF u ofroi mundësinë për të ndjekur ndeshjen Shqipëri – Serbi.
Në letrën e tyre, studentët nga Kosova shprehin mirënjohjen ndaj Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe të gjithë stafit organizativ, për mikpritjen, përkujdesjen dhe trajtimin dinjitoz që iu është ofruar gjatë gjithë qëndrimit të tyre në Tiranë.
“I nderuar President i FSHF-së, z. Duka,
E nderuar znj. Pamela,
Të nderuar anëtarë të FSHF-së,
Përmes këtij e-maili ju shprehim falënderimin tonë për mikpritjen dhe kujdesin e treguar ndaj nesh gjatë ditës së djeshme.
Ne, në të vërtetë, jemi dy shtete sepse ashtu na ka ndarë historia, padrejtësisht, por në zemër gjithmonë do të jemi të bashkuar në përkrahje të Kombëtares kuqezi, sepse zemrat tona nuk rrahin ndryshe.
Mirënjohës për punën dhe angazhimin tuaj!
Me respekt,
Handicap Students of Kosovo”.
FSHF falënderon të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve me aftësi të kufizuara për praninë e tyre dhe riafirmon angazhimin e saj për të qenë gjithmonë në krah të tyre, për mbështetje dhe përfshirje të barabartë në botën e sportit.